Ndahet nga jeta në moshën 79- vjeçare ikona e volejbollit shkodran dhe atij shqiptar Ali Bushati. Ish volejbollisti i njohur i Vllaznisë dhe i ekipit kombëtar. Po ashtu Ali Bushati ka qenë edhe një trajner i suksesshëm i Vllaznisë për disa vite. Vllaznia e Ali Bushatit në vitet 1967, 1969 dhe 1970 ishte në kulmin e saj teksa fitoi tri Kupa Republike.

Për 14 vite me radhë rivalizoi ekipin e madh të Dinamos të asaj kohe duke zënë shpesh vende të dyta. Ndërkohë Ali Bushati ka bërë paraqitje dinjitoze edhe me ekipin kombëtar në shumë ndeshje të zhvilluara duke qenë një prej pikave më të forta të ekipit. Në të njëjtën kohë ende mbahen mend duelet me kundërshtarë të mëdhenj të ekipeve të tjera si Asllan Rusi, Ylli Shehu apo Dashamir Fagu. Ali Bushati ka zhvilluar 60 ndeshje ndërkombëtare prej të cilave 25 me ekipin kombëtar ndërsa ka qenë edhe pjesë e Partizanit për t’u rikthyer pas disa vitesh sërish tek Vllaznia.

Ali Bushati është huazuar edhe tek Dinamo për ndeshje ndërkombëtare ndërsa është e paharruar fitorja 3-0 kundër Virtus të Bolonjës dhe Bloker të Hagës në Tiranë kur i gjithë pallati i sportit thërriste emrin e tij apo ndeshje me kombëtaren kundër Rumanisë ku sërish spikati me lojën e tij. Ali Bushati ka luajtur edhe futboll ndërsa është marrë edhe me hedhje shtize apo kërcim së larti ndërsa ka provuar edhe si basketbollist. Ali Bushati është gjithashtu një ndër volejbollistët e shekullit të shpallur nga “Sport Klub Vllaznia” në kuadër të 100 vjetorit të themelimit të këtij klubi, është ndër 6 volejbollistët më të mirë të kombëtares shqiptare ndërsa në 70-vjetorin e lindjes u nderuar me titullin “Mjeshtër i Madh” për kontributin e tij në sport. Star Plus i shpreh ngushëllimet familjarëve, të afërmve dhe miqve për humbjen e njeriut të tyre të dashur!

Artikulli paraprakLULZIM BASHA KUJTON IBRAHIM RUGOVËN: YLL POLAR PËR TË ARDHMEN E KOSOVËS
Artikulli tjetër“SHËRBIMI CILËSOR DHE NË KOHË NDAJ QYTETARËVE, PRIORITETI KRYESOR I PUNËS SIME”, XHAÇKA APEL EMIGRANTËVE: REGJISTROHUNI NË E-ALBANIA PËR SAKTËSIMIN E ADRESAVE