
Homazhet për “Artisten e Popullit” dhe “Nderin e Kombit”, aktoren e mirënjohur Margarita Xhepa, kanë nisur të mbahen sot në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Homazhet nisën në orën 10:00 dhe do të vazhdojnë deri në orën 13:00, pas një konsultimi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, me familjarët e aktores së ndjerë.
Pritet që një numër i madh personalitetesh të artit e kulturës, por edhe njerëz që u frymëzuan dhe morën prej artit të saj, të shkojnë drejt TKOB-së për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Pasi kreu nderimet e tij, aktori Timo Flloko u shpreh se e ndjera do të mbetet e pa harruar.
“Ruaj kujtimet më të jashtëzakonshme me të. Do të mbetet e paharruar. Po të shihni në këtë homazh ka një vizitë një ardhje një trysni të njerëzve që duan të vijnë e ta nderojnë.
Kam një kujtim të rrallë me të, një skenë të Hamletit me nënën. E kam të filmuar dhe e kam si kujtim të rrallë”, tha ai.
Ikona e kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa, u nda nga jeta në orët e para të datës 3 prill, si pasojë e problemeve me mushkëritë. Ajo ishte 91 vjeç.
Me interpretimet e saj, Margarita Xhepa spikati në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës. Deri në vitet e fundit të jetës, Xhepa iu kushtua artit. Për vlerat e larta dhe arritjet në karrierën e saj artistike, Margarita Xhepa mbante titullin “Artiste e Popullit”. Gjithashtu ishte nderuar me titullin “Nder i Kombit” dhe me dekoratën “Gjergj Kastriot Skënderbeu”.