
Strukturat vendore në Lezhë kanë zhvilluar një aktivitet ndërgjegjësues në shkollën “Karl Gega”, në Balldren, në kuadër të Javës Kombëtare të Ndërgjegjësimit për Zvogëlimin e Riskut nga Fatkeqësitë.Gjatë aktivitetit u demonstrua një situatë emergjente e rënies së zjarrit, ku u paraqitën mënyrat e ndërhyrjes dhe koordinimit mes strukturave përgjegjëse për përballimin e rasteve të tilla. Në demonstrim morën pjesë shërbimi i urgjencës, Policia, shërbimi zjarrfikës dhe Kryqi i Kuq, të cilët treguan procedurat që ndiqen për ndërhyrjen në rast zjarri, dhënien e ndihmës së parë dhe garantimin e sigurisë së personave të përfshirë.
Aktivitete të tilla synojnë të rrisin ndërgjegjësimin e nxënësve dhe komunitetit për rreziqet që vijnë nga fatkeqësitë, si dhe të njohin qytetarët me veprimet që duhet të ndërmarrin në raste emergjente. Bashkëpunimi mes institucioneve dhe informimi në kohë konsiderohen thelbësore për të shmangur rrezikun dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve.


