
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar publikisht mbi debatin që ka ‘shpërthyer’ rreth projektit filmik për Revoltën e Spaçit dhe ndërhyrjeve në ish-burgun famëkeq, duke e cilësuar si “tymnajë të panevojshme” dhe të motivuara nga keqinformimi dhe dashakeqësia.Në një deklaratë, ministria thekson se filmi në fjalë, i drejtuar nga regjisori Namik Ajazi dhe shkrimtari Visar Zhiti, ish i burgosur politik, përpiqet të sjellë në ekran me ndershmëri artistike një nga aktet më të fuqishme të rezistencës antikomuniste në Shqipëri: Revoltën e Spaçit më 1973.
Sipas autoriteteve, xhirimet në vetë ambientin e Spaçit janë të nevojshme për autenticitetin e projektit, ndërkohë që po merren masa konservuese minimale për të siguruar sigurinë dhe ruajtjen e elementeve historikë.
“Kjo revoltë, e ndërmarrë nga njerëz që kishin përjetuar tejkalimin e çdo caku të dhunës shtetërore, që kishin humbur lirinë, familjen dhe jetën, mbetet një nga dëshmitë më të fuqishme të shpirtit të pamposhtur të njeriut. Sjellja e kësaj historie në ekran, me vërtetësi artistike dhe etike, është detyrim moral dhe kulturor, si ndaj të kaluarës, ashtu edhe ndaj brezave që vijnë.
Vështirësitë e realizimit të këtij projekti filmik janë të mëdha, për shkak të pamundësisë për të rindërtuar kampin-burg në një set, gjendjes tejet të amortizuar të sitit në Spaç, nevojës për xhirime autentike në një ambient që ruan ende gjurmët reale të tragjedisë së atij vendi.”, thuhet në deklaratë.
Në reagim thuhet gjithashtu se ndërhyrjet nuk kanë për qëllim modifikimin e memories historike, por janë të mirëmenduara me kujdes për ta ruajtur dhe pasuruar atë.
Në reagim, theksohet se projektet për muzealizimin dhe filmi nuk janë në konflikt, por “dy shtylla të së njëjtës përpjekje fisnike për të mos lejuar harresën”. Ministria kritikon edhe zërat politikë që përpiqen të instrumentalizojnë çështjen dhe bën thirrje për distancim nga provokime dhe retorikë e panevojshme.
“Prandaj, ndërhyrjet konservuese dhe projekti filmik nuk janë dy rrugë të ndara, por dy shtylla të së njëjtës përpjekje fisnike për të mos lejuar harresën të bjerë mbi atë që ndodhi, për të mësuar nga plagët e historisë dhe për të ndërtuar mure mbajtëse e ura ndërgjegjësimi mes brezave, që të mos përsëritet më kurrë ai ferr!” Mbyllet deklarata e ministrise se Ekonomise, Kultures dhe Inovacionit






