Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, dhe disa ambasadorë të vendeve më të industrializuara të Quint-it, kanë shprehur shqetësim për ngërçin e vazhdueshëm politik dhe institucional që po ndodh në Kosovë, edhe pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Ambasadori Rohde shpreh shqetësim edhe për diskursin publik të kohëve të fundit. Sipas tij, me këtë diskurs “po hedhen dyshime mbi vendimet gjyqësore”. Këtë deklaratë Rohde e bëri pasi zhvilloi një takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Në takim shpreha shqetësimin tim për ngërçin e vazhdueshëm politik dhe institucional, si dhe për diskursin publik të kohëve të fundit që hedh dyshime mbi vendimet gjyqësore, pasi zhvillime të tilla rrezikojnë të gërryejnë besimin e publikut në pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit”, shkroi Rohde.

Kuvendi i Kosovës më 26.08 zgjodhi Kryetarin e Kuvendit dhe disa nënkryetarë, por nuk votoi disa herë radhazi edhe në ditët në vazhdim të propozuarin e Listës Serbe për nënkryetar Kuvendi, Sllavko Simiq. Kryetari i ri i Kuvendit, Dimal Basha, më 30 gusht e shpalli seancën e konstituimit të Kuvendit të mbyllur, duke thënë se “Kuvendi duhet të vazhdojë punën dhe nuk mund të mbetet peng vetëm për shkak të moszgjidhjes së një nënkryetari serb”. Lista Serbe tashmë iu ka drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se atyre si subjekti më i madh politik serb u takon nënkryetari i Kuvendit. Lista Serbe në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, dhe në të gjitha legjislaturat e kaluara ata përfaqësoheshin në Kuvend edhe me nënkryetar. Rregullorja e Kuvendit parasheh që “kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb propozohet nga shumica e deputetëve të komunitetit serb”. Ndërkaq, edhe Kushtetuta e Kosovës thotë se “nënkryetari do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet e rezervuara ose të garantuara të komunitetit serb”.

Takimet e Presidentes Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dy ditë më parë takoi ndarazi në zyrën e saj ambasadorin gjerman, Jorn Rohde, dhe atë britanik, Jonathan Hargreaves, me të cilët tha se “në kuadër të takimit u diskutua edhe procesi i konstituimit të institucioneve si rezultat i zgjedhjeve të 9 shkurtit”.

“Me këtë rast, Presidentja Osmani riafirmoi se veprimet e saj do të jenë gjithmonë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet, duke siguruar stabilitet institucional dhe respektimin e vullnetit qytetar”, njoftoi Presidenca.

Para takimit me ambasadorët, Presidentja takoi Kryetarin e ri të Kuvendit, Dimal Basha, ku u tha se “në këtë takim, Basha e ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Ndërsa, në anën tjetër, Osmani “e ka informuar Bashën se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”, duke mos konfirmuar nëse Kuvendi cilësohet i konstituuar, që do t’i hapte rrugë mandatimit për krijimin e qeverisë së re. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), që vazhdimisht monitoron punën e Kuvendit, ka konstatuar se “procedura e ndjekur për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë ishte në kundërshtim me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe praktikën e deritanishme parlamentare”.

Artikulli paraprakNDRYSHIME NË FORMACIONIN KUQEZI, TITULLARËT NDAJ GJIBRALTARIT
Artikulli tjetërNUK KA GOL NË 45 MINUTA, SHQIPËRI-GJIBRALTAR 0-0 PJESA E PARË