Teatri “Migjeni” në Shkodër u kthye në një ambient festiv dhe plot elegancë, ku u mbajt mbrëmja gala e fundvitit “Ndërmendje 2025”, një koncert që bëri bashkë emra të njohur të muzikës klasike shqiptare dhe formacione të spikatura artistike.
Në këtë mbrëmje të veçantë u ngjitën në skenë sopranot Marigona Qerkezi dhe Ardita Meni, të cilat dhuruan interpretime vokale të vlerësuara nga publiku.
Pjesë e koncertit ishin gjithashtu pianistja Nikol Tuka, trombonisti Anton Guri dhe violinisti Ergi Papadhimitri, në rolin e koncertmaestrit. Performanca u shoqërua nga Kori i Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija” dhe Orkestra Simfonike e Shkodrës.
Dirigjimi iu besua Elda Laros dhe Erio Daja, të cilët krijuan një harmoni të plotë mes orkestrës, korit dhe solistëve. Mbrëmja u prezantua nga Evi Reçi, e cila interpretoi edhe këngën e njohur “Ave Maria”.
“Ndërmendje 2025”, me mbështetjen e Bashkisë Shkodër, u prit me interes të gjerë nga publiku dhe u konsiderua një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore të fundvitit në qytet.

Artikulli paraprakHAPET URA E CENIT NË LEZHË
Artikulli tjetërFITORJA E VETËVENDOSJES, ALBIN KURTI: MIRËNJOHËS PËRJETË QYTETARËVE!