Më 6 shtator të këtij viti, qeveria shqiptare ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Vendimi erdhi pasi gjatë këtij viti, vendi u godit nga tre sulme kibernetike nga grupe iraniane hackerimi.
Hetimet, në bashkëpunim me SHBA-në, arritën në përfundimin se bëhet fjalë për grupe iraniane, të lidhur me strukturat shtetërore. Irani e quajti këtë vendim të pamenduar dhe të pabazuar në fakte.
Vendimi i qeverisë së Shqipërisë ishte i drejtë, thotë për Deutsche Welle-n Kolonel Dritan Demiraj, i cili shërbeu për 35 vite në Forcat e Armatosura Shqiptare, ku drejtoi një sërë misionesh luftarake në Lindjen e Mesme. “Vendimi i qeverisë shqiptare për të larguar personelin e ambasadës iraniane nga vendi erdhi në një moment kur prej disa vitesh personeli i kësaj ambasade ishte përfshirë në veprimtari, të cilat tejkalonin misionin e tyre diplomatik dhe dëmtonin sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, partnerëve tanë dhe qytetarëve të vendit tonë. Padyshim që është një vendim në kohën e duhur, i cili mund të jetë kërkuar edhe nga partnerët tanë më të rëndësishëm” – tha Demiraj për Deutsche Welle.
Sulmi kibernetik paralizoi infrastrukturën e rëndësishme
Dr.Afshin Shahi, profesor i asociuar dhe pedagog i politikës së Lindjes së Mesme dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në universitetin e Bradfordit në Mbretërinë e Bashkuar, thotë se vendimi i qeverisë shqiptare që ndëpreu lidhjet diplomatike me Iranin, mund të shihet si akt vetë-mbrojtjeje. “Në botën që po jetojmë, siguria kibernetike është një nga parakushtet më të rëndësishme të drejtimit të një shteti. Ajo lidhet drejtpërdrejt me sigurinë ekonomike, politike, ushtarake dhe shoqërore të çdo shteti. Sulmi kibernetik i Republikës Islamike paralizoi infrastrukturën e rëndësishme në Shqipëri. Ky është qartazi një veprim fyes i agresionit që shkel sovranitetin kombëtar shqiptar”, tha Shahi.
Pas ultimatumit të qeverisë shqiptare për largimin e stafit brenda 24 orëve, Teherani reagoi diplomatikisht. Ministria e Jashtme iraniane i konsideroi pretendimet për sulmet kibernetike “të pabaza” dhe fajësoi “palët e treta” për vendimin e Shqipërisë për të ndërprerë lidhjet me Teheranin. Ndërsa NATO dhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë dënuan sulmet dhe konfirmuan mbështetjen e tyre ndaj përpjekjeve të Shqipërisë për të minimizuar dëmet dhe për të rimarrë veten nga këto sulme.