Partizani-Skënderbeu, trazira gjatë ndeshjes, qëllohet tifozja.Protesta për faullin, tifozët e kuq goditën me sende. Policia përdori gazlotsjellës për shpërndarjen e turmës .

Tifozja e lënduar, e Partizanit, minuta paniku në stadium S’ka fitues, të dy ekipet vendosin ‘paqen’ në fushë Kryendeshja e fundjavës mes Partizanit dhe Skënderbeut, e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, është ndërprerë në minutën e 82′ pas incidenteve në stadium. Tensionimi i tifozëve të Partizanit në momentin kur arbitri nuk dha karton të kuq për lojtarin e Skënderbeut për ndërhyrje të rëndë ndaj atij të Partizanit, solli ndërhyrjen e Policisë, ndërsa rezultati i takimit ishte 0:0. Tifozët e kuq hodhën në fushën e blertë shishe, shkopinj dhe sende të tjera të forta. Forcat e policisë ndërhynë për të vendosur qetësinë, por u përplasën me tifozerinë, pasi përdorën gazlotsjellës për shpërndarjen e turmës së irrituar, çka solli edhe eskalimin e situatës e për rrjedhojë edhe ndërprerjen e takimit për disa minuta. Në këtë moment lëndohet edhe një prej tifozeve të Partizanit, e cila ka humbur ndjenjat për disa minuta. Ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e stafit mjekësor të të dy ekipeve që bëri të mundur shmangien e pasojave të rënda për jetën e vajzës së re. Ajo është përmendur disa minuta më pas, ndërsa është transportuar me autoambulancë në drejtim të Spitalit të Elbasanit. Ndeshja ka rinisur pas vënies së qetësisë në stadium. Minutat e mbetura të takimit nuk sollën ndryshim në rezultat. Të dy ekipet ndanë nga një pikë. Skënderbeu kryeson kampionatin me 20 pikë, dy më shumë se Partizani i vendit të dytë.