Ka ndërruar jetë në moshën 95-vjeçare Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Lajmi u njoftua nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, në një njoftim në profilin zyrtar në Facebook.

Bëhet me dije se arsyeja e ndarjes nga jeta është mos funksionimi i organeve.

“Fjeti më Zotin Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, ANASTASI.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, me dhimbje të thellë, njofton fjetjen më Zotin të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastasit. Kryepiskopi ndërroi jetë sot, 25 Janar 2025, në orën 08:30 të mëngjesit, në moshën 95-vjeçare, në Spitalin “Evangelismos” të Athinës, si pasojë e funksionimit të pamjaftueshëm të shumë organeve. Më parë, ishte kuruar për disa ditë në Spitalin “Hygeia” të Tiranës.
Ftojmë besimtarët orthodhoksë të Kishës së Shqipërisë të luten për prehjen e shpirtit të Kryebariut të ndjerë.

Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rigjallëruesi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin hyjnor dhe punën e tij të palodhur, ai rindërtoi nga themelet jetën kishtare, ndërtoi qindra kisha, krijoi institucione arsimore dhe bamirëse, si dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar një shërbesë të pandërprerë e sakrifikuese për më shumë se 33 vjet.
I përjetshëm qoftë Kujtimi i tij!”, thuhet në postim.

Kryepeshkopi i Shqipërisë, ndodhej i shtruar i intubuar në Njësinë e Kujdesit Intensiv të “Evangelismos” pas operacionit që iu nënshtrua pasditen e së premtes së 10 janarit.

Ai nuk ka mundur t’i mbijetojë orëve kritike pas tentativës për ta nxjerrë nga intubimi, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor.

Kryepeshkopi u shtrua në një spital të Tiranës më 30 dhjetor me simptoma të infeksionit të rëndë dhe më 3 janar, pasi u përkeqësua, u transferua në spitalin grek.

Artikulli paraprakQYTETARËT KROATË BOJKOTOJNË BLERJET PËR SHKAK TË ÇMIMEVE TË LARTA
Artikulli tjetërNDARJA NGA JETA E KRYEPESHKOPIT JANULLATOS, BEGAJ MESAZH NGUSHËLLIMI: SHEMBULL I PALODHUR I PËRKUSHTIMIT SHPIRTËROR