Një shtetasi paraburgosur ka ndërruar jetë mesditën e sotme në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Shkodër. Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, viktima është Nicolae Ionnut Erion Deliver, 20 vjeç, lindur në Rumani dhe banues në Shkodër. Ai ishte arrestuar më 7 tetor 2024 dhe mbahejnë paraburgim që prej 10 tetorit, me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Gjatë paradites së sotme, shtetasi është konstatuar nga personeli i shërbimit duke qëndruar në shtrat, çka ka sjellë njoftimin e menjëhershëm të personelit shëndetësor të institucionit. Pas vlerësimit mjekësor, janë konstatuar parametra jetësorë të ulët dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore, me rekomandim për dërgim të menjëhershëm në urgjencën e spitalit rajonal.

Menjëherë është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Koplikut, si struktura më e afërt shëndetësore. Gjatë transportimit i është dhënë ndihma mjekësore nga stafi shëndetësor. Në urgjencën e Spitalit të Koplikut i është dhënë ndihma mjekësore e menjëhershme, por më pas mjeku i urgjencës ka konstatuar se shtetasi ka ndërruar jetë (exitus letalis).

Institucioni ka njoftuar menjëherë organet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion çdo informacion të mëtejshëm, në përputhje me ligjin.

Artikulli paraprakPROTESTA E KAMIONISTËVE TË MALIT TË ZI, AUTORITETET MALAZEZE: NDALOHET QARKULLIMI I MJETEVE TË RËNDA
Artikulli tjetërFINALIZOHET OPERACIONI POLICOR ‘KONTROLLI’, ARRESTOHET 31 VJEÇARI