Ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare “Artisti i Popullit”, aktori i njohur elbasanas, Demir Hyskja, i cili të gjithë jetën e tij ja kushtoi Kinematografisë Shqiptare.

Prej më shumë se tre vjetësh, aktori Demir Hyskja vuante nga disa sëmundje dhe prej kësaj kohe, shumë pak e shihnin në qytet, pasi pjesën më të madhe e kalonte në banesën e tij në një lagje të njohur të qytetit të Elbasanit. Mësohet se aktori ndërroi jetë në banesën e tij në praninë e familjarëve, miqve dhe të afërmve. Demir Hyskja është një aktor i mirënjohur shqiptar, i cili u lind më 1 janar 1937 në Elbasan. Për më shumë se 3 dekada ai ka pasur role të shumëllojshme dhe të dalluara në filma të ndryshëm të kinematografisë shqiptare duke u mbajtur mend për mëse 50 personazhe. Gjatë punës 30-vjeçare në teatër ka realizuar mbi 50 role kryesore. Në Kinostudion “Shqipëria e Re” ka realizuar 24 filma artistike dhe dokumentarë. Është dekoruar disa herë me dekorata të urdhrave të ndryshme deri tek “Naim Frashëri i Klasit të Parë”. Në vitin 1969 nderohet me titullin “Artist i Merituar” dhe në vitin 1979 nderohet me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Është zgjedhur katër herë radhazi deputet në Kuvendin Popullor. Homazhet në nder të të madhit Demir Hyskja do të mbahen ditën e dielë në orën 11:00 në teatrin “Skampa” të Elbasanit.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakVLLAZNIA PREZANTON UNIFORMAT E REJA PËR SEZONIN 2016-2017
Artikulli tjetërPOLICIA KUFITARE VIJON AKSIONIN NË PLAZHET E VENDIT