Akuzat, aludimet dhe pretendimet e opozitës kryesisht në këshillin bashkiak të Shkodrës për abuzimet me ndihmën ekonomike kryesisht në 10 njësitë administrative që shkrihen duke qenë pjesë e bashkisë se madhe të Shkodrës po merren parasysh. Këto ditë pritet që të zhvillohet një tjetër mbledhje jashtë radhe por duket se në një farë mënyrë këtë po e pengon dosja voluminoze që është në zyrën e shefit të ndihmës ekonomike në bashki Shkëlzen Mustafaraj.

Ende nuk ka shifra zyrtare sidomos për ish-komunat e zonës së Dukagjinit por burime pranë bashkisë Shkodër bëjnë me dije se janë gjetur jo pak shkelje të cilat nuk do të lejohen më. E gjitha kjo kryesisht lidhet me familjet që nuk jetojnë në ato zona dhe përfitojnë ndihmë ekonomike apo edhe me ndonjë tjetër që nuk plotëson kriteret për ta përfituar. Këto raste që mesa duket nuk janë të pakta do të shqyrtohen dhe po punohet që të mos jenë më pjesë e skemës të asistencës sociale. Kjo çështje ka marrë jo pak vëmendje edhe në këshillin bashkiak të Shkodrës. Kanë qenë grupi i majtë ata të cilët kanë deklaruar shifra të frikshme kryesisht për ish-komunat e Dukagjinit por edhe për komuna të tjera. Është kërkuar me ngulm që të ndërhyhet në mënyrë që të eleminohet përfitimet nga ata të cilët nuk e meritojnë. Nga ana ana tjetër vetë kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi ka deklaruar se auditi i brendshëm i bashkisë ka nisur punën për të gjitha 10-ish komunat nga ku do bëhet i ditur edhe raporti përfundimtar. Mbledhja e radhës e këshillit bashkiak ende nuk është përcaktuar se kur do jetë për shkak se nuk është përpiluar projekt-vendimi pikërisht për ndihmën ekonomike dukeshtyrë kështu këtë mbledhje të rëndësishme ku priten të merren vendime të rëndësishme siç është fondi për Vllazninë apo marrëveshja e re mes bashkisë dhe federatës shqiptare të futbollit për stadiumin “Loro Boriçi”