
Agjencia e Emergjencave Civile ka sjellë në qarkun Shkodër 1192 pako ushqimore për familjet e përmbytura si dhe 15 ton bazë ushqimore për gjënë e gjallë. Drejtori i Agjencisë së Emergjencave Civile Haki Çako u shpreh se kjo ndihmë për banorët e përmbytur vjen pasi uji është tërhequr thuajse plotësisht si një kërkesë e bashkisë Shkodër.
Prefektja e Qarkut Shkodër Majlinda Angoni u shpreh se institucionet vepruan me shpejtësi për të furnizuar banorët me ushqime dhe bazë ushqimore për bagëtitë pas tërheqjes së ujit.
Nënkryetari i bashkisë Shkodër Tonin Dedaj, i pranishëm në ardhjen e ndihmave ushqimore deklaroi se Shkodra nuk do të ishte përmbytur nëse nuk do të ishin hapur portat e hidrocentraleve.
Sa i përket bashkisë Shkodër ndihmat ushqimore janë shpërndarë në zonat e përmbytur ku ka patur ujë në banesa që janë Bërdica, Guri Zi dhe dy lagjet e qytetit Bahçalleku dhe Ajasma. Emergjencat Civile kanë furnizuar me pako ushqimore edhe Malësinë e Madhe, Vau Dejësin dhe Pukën.






