
Bregdeti i Kunes, pranë grykëderdhjes së Drinit është mbuluar nga mbetjet e shumta që lumi ka sjellë nga fshatrat përreth Lezhës dhe Vaut të Dejës.Vija bregdetare prej 1 km është ndotur masivisht, duke u kthyer në një landfill të vërtetë mbetjesh.
Në terren, vihen re shishe plastike, qese, qelq, goma, materiale inerte, e deri te kafshë të ngordhura, të cilat rryma i ka transportuar drejt detit dhe më pas i ka nxjerrë në breg.Situata konsiderohet alarmante si për mjedisin ashtu edhe për turizmin lokal, ne kete zone.
Eksperti i mjedisit Jak Gjini thotë se sa herë ka reshje intensive, pjesa veriore e grykëderdhjes së Drinit ndotet sepse banorët i hedhin mbetjet në shtratin e lumit si dhe përgjatë kanaleve.
Gjini shton se përgjegjëse janë bashkitë, pasi nuk janë të organizuara për evadimin e mbetjeve në fshatra.
Pastrimi mbetet një sfidë edhe më e vështirë pasi rruga 4 kilometra që lidh fshatin Ishull-Shengjin me pjesen fundore te bregdetit te Kunes eshte përmbytur nga reshjet e fundit te shiut. Mjetet e pastrimit nuk kanë mundësi të hyjnë, duke e lënë bregdetin të ekspozuar ndaj ndotjes katastrofike.






