Më pak se katër metra i kanë mbetur Liqenit të Fierzës për të mbërritur në kuotën maksimale prej 296 metra mbi nivelin e detit. Pas reshjeve të fundit prurjet kanë shënuar rreth 1600 metër kub ujë në sekond. Prurjet e shumta dhe rritja e kuotës kanë sjellë me vete tonelata mbetjesh plastike e lëndë drusore duke mbuluar sipërfaqen e liqenit në pjesën më të madhe të tij.

Mes mbeturinave që pluskojnë në sipërfaqe dallohen me vështirësi edhe varkat e peshkatarëve që përpiqen të çlirojnë rrjetat e mbushura me mbetje. Problemi i ndotjes në Fierzë, është i mbartur prej vitesh dhe sa vjen e rëndohet. Pjesa më e madhe e mbetjeve vijnë nga Drini i Bardhë që përshkon pesë qytete të rëndësishme të Kosovës por edhe përmes Drinit të Zi që vjen nga Maqedonia e Veriut e në kryqëzimin e tyre në Kukës sjellin mbetjet e qyteteve që përshkojnë.

Jo vetëm pushteti vendor, dhe organizata të shumta mjedisore e kanë ngritur shqetësimin por edhe iniciativa ndërshtetërore me ministritë e mjedisit të tre shteteve kufitare dhe ende nuk është gjetur një zgjidhje për minimizimin e mbetjeve apo eliminimin total. Dëmet janë të pallogaritshme për faunën peshkore të liqenit të Fierzës i cili ka nga të paktën shtatë lloje peshqish.

Me fushata periodike në vjeshtë dhe në pranverë organizma të ndryshme janë përpjekur të pastrojnë brigjet e liqenit dhe sipërfaqen e tij por fenomeni përsëritet dy tre herë në vit, në çdo rast kur ka ulje e ngritje të kuotës në liqenin e Fierzës duke bërë që sasia e mbetjeve të jetë e madhe e po ashtu edhe dëmi që shkaktohet.

Një pjesë e konsiderueshme e këtyre mbetjeve përfundojnë në liqenin e Komanit duke krijuar edhe aty një ndotje pa llogaritur edhe mbetjet e tjera shtesë që hidhen në Koman nga persona të papërgjegjshëm duke ndotur masivisht këto dy lumenj të rëndësishëm. Bashkitë përkatëse duken të pafuqishme për ta ndalur këtë fenomen të hedhjes së mbetjeve në liqenet e Fierzës dhe Komanit dhe po ashtu për të mos lejuar ardhjen e mbetjeve nga shtetet e tjera.

Artikulli paraprakPIRAMIDA/ YURI KIM: NGA SIMBOL I TË KALUARËS SË ERRËT, NË INKUBATOR I TË ARDHMES SË NDRITUR TË SHQIPËRISË
Artikulli tjetërDAJÇ, PËRMBYTJET NDIKUAN NË TË GJITHË SEKTORËT