
Bregu i lumit Kir vazhdon të ndotet nga mbeturinat, duke u shndërruar në një landfill të paligjshëm. Edhe pse kjo zonë është pastruar disa herë përmes ndërhyrjeve institucionale, situata mbetet alarmante.
Çdo ditë, kamioncine dhe qytetarë të papërgjegjshëm depozitojnë këtu mbetje urbane dhe inerte, duke sfiduar hapur çdo masë apo thirrje për mbrojtjen e mjedisit.
Përtej dëmit të rëndë ekologjik, kjo situatë po kthehet në një shqetësim të vërtetë për një numër të konsiderueshëm banorësh që jetojnë vetëm pak metra larg bregut. Era e rëndë, rreziku i përhapjes së epidemive janë kthyer në rrezik të përditshëm të këtyre familjeve.
Ndërhyrjet kanë rezultuar të pamjaftueshme përballë fenomenit të pandalur të ndotjes. Banorët dhe ekspertët e mjedisit bëjnë thirrje për masa më radikale që nga vendosja e kamerave të sigurisë, monitorimi i vazhdueshëm, e deri te gjobat e rënda për ata që e trajtojnë lumin Kir si vend depozitim mbeturinash.


