Një 44-vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Shkodrës pasi ndezi zjarr në ladfillin privat me qëllim djegien e mbetjeve. Shtetasi G. H, pronari i ladfillit privat “Buna Recyclig” ndezi zjarr mbrëmjen e djeshme rreth orës 20:30 për të djegur mbetjet e grumbulluara në lagjen “Bahçallëk”. Si pasojë e zjarrit, është shkaktuar dhe ndotje e mjedisit përreth.
44-vjeçari akuzohet për veprat penale “Menaxhimi i mbetjeve”, “Ndotja e ajrit”, “Ndotja e ujërave” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Në njoftimin zyrtar të policisë Shkodër, bëhet me dije se:
Në vijim të veprimeve hetimore për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan në flagrancë shtetasin G. Gj., 44 vjeç, banues në Shkodër.

Ky shtetas dyshohet se ka ndezur zjarr mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:30, për djegien e mbetjeve në subjektin që menaxhon, në lagjen “Bahçallëk”, dhe si pasojë është shkaktuar ndotje e mjedisit në zonën përreth.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale “Menaxhimi i mbetjeve”, “Ndotja e ajrit”, “Ndotja e ujërave” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër apelon për qytetarët, për kujdes maksimal në çdo veprim që mund të rrezikojë mjedisin, jetën e qytetarëve apo pronën publike dhe private, pasi do të përballen me ligjin. Gjithashtu, i fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie, në numrin 112, duke garantuar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm.

Artikulli paraprakZJARRI NË SHKODËR, ZJARRFIKËSJA NË AKSION PËR ORË TË TËRA
Artikulli tjetërORGANIZONTE LOJËRA FATI, NË PRANGA 23- VJEÇARI