
Shkolla profesionale “Ndre Mjeda” në Bushat ka organizuar një aktivitet të veçantë me fokus vlerësimin e nxënësve më të dalluar, në kuadër të iniciativës “Nxënësi i Vitit”. Gjatë aktivitetit, përveç ceremonisë së vlerësimit për nxënësit ekselentë, është menduar edhe një program i pasur artistik me këngë, valle dhe momente argëtuese.
Melita Vjerdha, përgjegjëse e sektorit të arsimit në bashkinë Vau Dejës, tregon se qëllimi kryesor i këtij organizimi është të motivojë nxënësit që të përkushtohen më shumë në rrugën e dijes dhe të shërbejnë si modele frymëzimi për bashkëmoshatarët e tyre.
Përmes këtij aktiviteti, shkolla synon të nxisë jo vetëm arritjet akademike, por edhe zhvillimin e vlerave të forta qytetare tek brezi i ri.






