Disa prej drejtorive rajonale në Shkodër kanë pësuar ndryshime ndërsa disa të tjera pritet në ditët në vijim. Në këtë mënyrë një prej drejtorive më problematike që po mbetet historikisht është ajo e hipotekës në Shkodër. Tashmë drejtorja e mëparshme Lela Bërdica pritet që të largohet për t’u zëvendësuar nga Unid Bejleri. Agjencia e Kadastrës në Shkodër ose hipoteka siç njihet ndryshe është një drejtori e cila nuk po gjen aspak qetësinë e duhur. Kjo drejtori më shumë se gjitha të tjerat ka ndryshimet më të shpeshta të drejtorëve duke sjellë kështu më pas probleme sa i përket stabilitetit dhe mbarëvajtjes së punës.

Ajo që është shqetësimi kryesor për qytetarët dhe bizneset që aplikojnë janë vonesat e herë pas hershme dhe mos zbatimi i afateve ligjore. Është e paqartë se kur do të vijë momenti që hipoteka të gjejë qetësinë e shumë pritur prej vitesh dhe të respektohen afatet ligjore. Në gjithë këto histori ata që mbesin më të dëmtuarit janë vetëm biznesi që merren me fushën e ndërtimit. Kjo zvarritje e shpeshtë dhe e tepruar krijon një klimë aspak të mirë dhe mosbesuese duke bërë që faturën e dëmit automatikisht ta ketë mbi shpinë biznesi. Ndërkohë pak kohë më parë ka patur ndryshim edhe tek legalizimet në një kohë kur numri i praktikave të kryera të legalizimeve është i vogël. Hipoteka nuk është e vetmja drejtori që ka pësuar ndryshime.

Në këtë mënyrë në spitalin rajonal të Shkodrës drejtor do të jetë mjeku i njohur gjinekolog Senad Halluni i cili deri më tani ishte drejtues i maternitetit. Xheni Halili që drejtonte më parë spitalin e Shkodrës do të jetë tashmë drejtore e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor në vend të Aldo Gjokës që mbante deri më tani atë post. Edhe drejtoria rajonale e transportit rrugor ka pësuar një ndryshim pasi është larguar Arsid Sylja duke u zëvendësuar nga Besmir Lezha. Në drejtorinë rajonale të tatimeve pritet që të emërohet Halit Bilali në vend të Sidrit Istrefit dhe tek hetimi tatimor pritet Emiljano Nika të vend të Denis Dusha. Këto janë disa prej drejtorive rajonale ky ndryshimet e drejtorëve janë thuajse të konfirmuar ndërsa në vijimësi mund të ketë edhe lëvizje të tjera duke qenë se fushata elektorale e zgjedhjeve vendore të 14 majit po afron gjithnjë e më shumë.