Këshilli i Ministrave ka emëruar këtë të martë Arben Ahmetaj në postin e ministrit të Financave, pas largimit të papritur të Shkëlqim Canit.

Ndërkohë, Milva Ekonomi, deri dje zv.ministre e Shëndetësisë, është emëruar ministre e Ekonomisë në vend të Ahmetaj.  Për momentin shkaqet e largimit të Canit nuk dihen, por kryeministri Rama e ka falenderuar atë për bashkëpunimin dhe profesionalizmin e lartë.  “Cani, me integritet të plotë kreu një prej detyrave më të vështira të qeverisë”, ka deklaruar Rama, i cili i ka kërkuar bashkëpunëtorit të tij që me të njëjtin profesionalizëm të vazhdojë angazhimin e tij si deputet i PS. Edhe Cani, nga ana e tij, ka vlerësuar bashkëpunimin me shefin e qeverisë “për të kapërcyer me sukses situatën e rëndë financiare të trashëguar” dhe ka dhënë garancinë për vijimin e kontributit të tij në politikë, si deputet dhe anëtar i komisionit të ekonomisë.  Ky është ndryshimi i katërt në kabinetin qeveritar që pas krijimit. I pari është larguar ish-ministri Ilirjan Celibashi, më pas dha dorëheqjen Nasip Naço, Erion Veliaj, i cili kandidoi për Bashkinë e Tiranës, dhe tani ministri Cani. Shkëlqim Cani ishte i vetmi anëtar i kabinetit qeveritar që pas emërimit nuk e dorëzoi mandatin e deputetit, siç bënë ministrat e tjerë.

Artikulli paraprakPËRVJETORI I 97-të I VLLAZNISË, HARROHET KRENARIA E QYTETIT
Artikulli tjetërNDRYSHIMET NË QEVERI, REAGON BLUSHI: RAMA I PËRDOR MINISTRAT SI TË DOJË