
Ndërsa qeveria ka hedhur për konsultim publik paketën me 105 ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, që parashikon kufizime për arrestin me burg, rregulla të reja për administrimin e provave dhe kontrollet në telefonat celularë, Sali Berisha e shfrytëzoi takimin me Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës Despina Chatzivassiliou për të kritikuar paketën dhe për të kërkuar që ajo t’i dërgohet për ekspertizë Komisionit të Venecias.
Sipas kreut të PD-së, ndryshimet e propozuara dobësojnë luftën kundër korrupsionit dhe krimit, pasi prekin mënyrën e administrimit të provave dhe, sipas tij, favorizojnë edhe krimet zgjedhore.
Në deklaratën e tij të publikuar në faqen e PD-së, Berisha tha gjithashtu se Sekretarja e Përgjithshme e kishte siguruar se ekspertët e Këshillit të Europës nuk e kanë hartuar dhe as miratuar paketën, duke shtuar se do të vijojë kontaktet me institucionet e tjera të Këshillit të Europës për këtë çështje.
“Dhe tani, kur skandalet ndjekin njëra-tjetrën, ai paraqiti ndër të papritura dje, një paketë ndryshimesh të nja 100 e sa neneve në Kodin e Procedurës Penale, në të cilat ka absolutisht parasysh mbrojtjen e vetes së tij, vëllaut të tij, familjarëve të tij, dhe ministrave të tij.
Me këtë paketë, përveçse përjashton dënimet me burg në masat nën pesë, nën pesë vite dënim, Edi Rama kërkon me çdo kusht të zhvlerësojë provat me ligj, të zhvlerësojë provat që janë të, të gjetura në aparatet celulare, të zhvlerësojë provat të cilat janë të gjetura në, në vende të ndryshme.
Rikujtova se këto, kjo përpjekje është në kundërshtim flagrant me Gjykimin e Strasburgut dhe Gjykatën Franceze të cilat regjistrimet që gjetën për bandat i kanë quajtur të vlefshme dhe plotësisht të përdorshme. Pra, atë që, atë që s’arritën ta bëjnë me presione mbi drejtësinë, tani kërkojnë ta bëjnë me ligj.”


