
Familjet lezhjane që çojnë fëmijët në kopshtet publike do të paguajnë 220 lekë në ditë për ushqimin e tyre. Me propozim të Bashkisë Lezhë, tarifa ditore është ndryshuar nga 170 në 220 lekë, ndersa vendim i miratuar me shumicë votash nga Këshilli Bashkiak.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, tha se ndryshimi i tarifës lidhet me indeksimin e kostove dhe çmimeve të produkteve ushqimore. Sipas tij, pagesa përdoret vetëm për ushqimin që konsumojnë fëmijët gjatë qëndrimit në kopshtet publike.
Me tarifën e re, familjet do të paguajnë 50 lekë më shumë në ditë për çdo fëmijë që frekuenton kopshtet publike. Ndryshimi prek rreth 540 familje në Lezhë, ndërsa familjet në nevojë janë përjashtuar nga pagesa.


