5 Nëntori shënon 1 vjetorin e lumnimit të martirëve të Kishës katolike Shqiptare.

Një ngjarje e madhe për mbarë kombin shqiptar, por në mënyrë të vecantë për klerin katolik. E në këtë përvjetor të parë, nuk ka munguar as mesazhi i Dom Artur Jakut, ish famullitarit të Shkodrës, por personit që u kujdes në detaje për atë ceremoni që e ktheu Shkodrën në një vatikan të dytë, te paktën për një ditë të vetme: Një vit nga ajo ditë lumnuese, nga ai hir mbarështues, që ngrinte në altaret e mbarë botës kelkun e tryezës sonë, rreshtonte në rreshtin e të përndriturve të kishës universale, emrat e gjakut tonë, që me gjak paguan çmimin e fitores. Ngjan aq sa iluminuese, aq edhe sfiduese për të ngritur paralele, rrafshe diskutimi, për ta parë këtë ngjarje unike në skenën e kohës moderne.

Sigurisht në rangun universal, të krishterët e lindjes së mesme masakrohen çdo ditë, meshtarë që rrëmbehen, emigrantët, trafiku i qenieve njerëzore, frika, pasiguria në Europë e jo vetëm. Dom Artur Jaku në këtë nje vjetor është ndalur tek situate e trishtë që ka mbërthyer vendin, mes varfërisë, skamjes dhe indiferencës shteterore… “E trishtë dhe si një kafshatë që nuk kapërdihet është zymtësia e realitetit shqiptar, që anipse rron në këtë trashëgimi, edhe pse në zemër të Europës, aneksohet. 27 vite, e Shqipërisë nuk i ndahet i ashtëquajturi tranzicion, e vërteta nuk duket gjëkundi, trashëgimia diabolike nga (diabolon ai që ndan) vazhdon këmbëkryq deri në limfat e shoqërisë shqiptare.

Videot që u përshfaqen në mediat italiane me fëmijët e zonës së Mirditës (Bulqizë) janë një ndër shumë skllavëritë mbërthyese të popullit tonë. “Burri më i fortë është fukarallëku”, në fakt nëse shumë të rinj po largohen, ikin pikërisht sepse e kanë frikë atë. Me të drejtë Martin Luther King thoshte: ndoshta nuk jeni përgjegjës për situatën ku ndodheni, por bëheni të tillë nëse nuk bëni asgjë për ta ndryshuar atë. Nga një përgjegjësi e madhe, lindin detyrimet të mëdhaja.

Kultura që po e asfikson këtë vend dita-ditës, është fakti që kurrë për asgjë, askush nuk mban përgjegjësi, për fjalët dhe veprimet që bën. Për aq kohë sa orientimi dhe njësia matëse është kështu, nuk kemi kujt t’i kërkojmë llogari. Ndaj, në këtë përvjetor të parë, apeli shkon për të gjithë ata që u është besuar detyra e udhëheqjes, që ta ngjizin mendësinë e martirëve, dhe nën sublimin e sakrificave, të ndërtojmë bedenat e fortesës së të ardhmes që njehson, dhe klimatizon kulturën e prosperitetit të përbashkët.”- prefund mesazhi i dom artur jakut në kuadër të 1 vjetorit të Lumnimit të martirëve

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakVIJOJNË PUNIMET NË RRUGËN E VELIPOJËS
Artikulli tjetër“PASTROHET” LEZHË-SHKODËR-HANI I HOTIT