Kjo është kosideruar java e zhvillimeve të “nxehta” të politikës për 2021. Të shtunën më 12 qershor mblidhet kongresi i PS në “Air Albania”, në të njëjtën ditë me përvjetorin e 30-të të Partisë Socialiste.

Burime bëjnë me dije se Kongresi do të fillojë në orën 18:00 dhe gjithçka do të zhvillohet në zbatim të masave kundër koronavirusit. Hapja do të bëhet me një video dokumentar për rrugëtimin e PS nga ’91 e deri më sot.

PS do të paraqesë vizionin për Shqipërinë 2030 dhe angazhimet kryesore të programit qeverisës. Një analizë do ti bëhet dhe rezultatit të 25 prillit, pasi ndonëse PS ka fituar mandatin e 3 duke hyrë në histori, jo të gjitha strukturat kanë arritur rezultatin e parashikuar. Në fokus do të jetë edhe rizgjedhja e strukturave, hapja e partisë dhe anëtarësimet e reja.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, në fjalën e tij në Asamble u shpreh se në Kongresin e Jashtëzakonshëm do të paraqitet vizioni “Shqipëria” 2030 si dhe angazhimet kryesore të programit qeverisës të PS për mandatin e tretë, duke shtuar se PS do të fillojë fushatën më të madhe të hapjes ndonjëherë. Deri më tani gjithçka duket gati dhe e mirëorganizuar për të shtunën e 12 qershorit.

Kongresi vjen pasi sot parlamenti votoi pro raportit të komisionit hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Ndërkaq edhe të dielën pritet të jetë një ditë e rëndësishme, pasi janë zgjedhjet për kryetarin e ri të PD, ku Lulzim Basha do të jetë përballë Fatbardh Kadillit, Agron Shehajt dhe Edith Harxhit.

Janë demokratët ata që duhet të vendosin nëse do të rikonfirmojnë Bashën në krye të partisë apo do të zgjedhin drejtuesi të ri.