Vetëm pak orë na ndajnë nga 2021, por ndryshe nga më parë sheshet nuk do të jenë të mbushura plot në pritje të Final Coundown dhe darkat do të jenë vetëm me rrethin e ngushtë familjar. E gjitha kjo për shkak të pandemisë. Kufizimet që janë vendosur si pasojë e pandemisë COVID-19 kanë penguar, në gati çdo vend, organizimin e festimeve të zakonshme.

Në Sidnej spektaklin e fishekzjarrëve mund ta shohin vetëm personat afër qendrës së qytetit, ndryshe nga vitet e mëparshme kur në skena të tilla ishin të pranishëm 1 milion persona. Kryeqyteti japonez ka anuluar çdo lloj festimi ndërsa Pekini nuk do të lejojë shfaqjet e zakonshme të fishekzjarrëve. E njëjta gjë do të shihet edhe në Moskë apo Berlin, ku çdo event është paralizuar për të parandaluar grumbullimet që mund të çojnë në shtim të rasteve me të infektuar.

Ndërkohë edhe Franca nuk do të organizojë asnjë festim, pasi do të qëndrojë në shtetrrethim të plotë deri më 31 janar. Ministri francez ka deklaruar se do të mobilizojë 100,000 policë dhe xhandarë në prag të Vitit të Ri për të prishur festat dhe për të zbatuar shtetrrethimin.

Edhe Italia gjatë festave të fund vitit do të kthehet në zonë të Kuqe, nuk do të lejohet lëvizja nga ora 22:00 deri në 7 të mëngjesit , një maksimum prej dy personave jo-bashkëjetues mund të vizitojnë një familje dhe për të siguruar respektimin e masave policia ka paralajmëruar kontrolle me dron.

Edhe Irlanda nuk do të ketë shumë festime pasi natën e mbrëmshme kryeministri vendas paralajmëroi ashpërsimin e masave kufizuese për një muaj dhe ato përfshijnë ndalimin e të gjitha vizitave në familje, mbylljen e dyqaneve me pakicë dhe lëvizje deri në 5 km nga shtëpia.

Gjithashtu, Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet që e ka të ndaluar plotësisht hedhjen e fishekzjarrëve gjatë natës së ndërrimit të viteve. Edhe në Rio de Zhaneiro, ku nata e Vitit të Ri është periudha më festive dhe më e famshme, nuk do të ketë festë.

Pandemia ka ndaluar festimet edhe në Shtetet e Bashkuara, ku në “Times Square” të New York-ut vetëm një numër i kufizuar personash do të lejohen të shikojnë fishekzjarrët.