Familja Dibra rrezikon të qëndrojë në qiell të hapur. Mospagimi i kredisë në një prej bankave të qytetit për vetëm 4 muaj ka bërë që banka ta shesë shtëpinë pa e njoftuar familjen. Një këst banka e ka mbajtur në shtatorin e vitit të kaluar ndërkohë që banesa është shitur që në muajin korrik të 2014-ës.

Edhe pse çështja ka shkuar në gjykatën e Shkodrës, ende pa patur një vendim zyra e përmbarimit ka bërë sekuestrimin e shtëpisë duke nxjerrë jashtë familjarët. Alketën, fëmijët e saj dhe familjarët e tjerë nuk dinë se ku të strehohen. Gjendja ekonomike e tyre është vështirë teksa djali 16-vjeçar ka lënë shkollën për të punuar. 16 vjeçari Alvin Dibra thotë se shitja e shtëpisë nga banka dhe sekuestrimi nga zyra e përmbarimit nuk janë të drejta. Dëshira e tij është të vazhdojë studimet por rrëfen se detyrohet të punojë për të siguruar të ardhura për familjen e tij. Kredia ka qenë 10 vjeçare dhe për 4 vite me radhë familja Dibra e ka shlyer. Në një moment jo të mirë ekonomik debia nuk është likujduar për 4 muaj. Banka ka shfrytëzuar pa njoftuar familjen duke bërë shitjen e banesës për vetëm 13 milion lekë të vjetra në një kohë që vlera reale në minimum është 30 milion lekë të vjetra. Tashmë pas sekuestrimit kjo familje do t’i kalojë netët nën shkallët e pallatit.