Pas takimit që zhvilloi të hënën në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë për Çështjet e Jashtme, Federica Mogherini dhe me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor, Kryeministri Edi Rama tha se ka një vullnet të fortë për vijimin përpara të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, nga ana e institucioneve në Bruksel.

Zoti Kryeministër, si e vlerësoni takimin bilateral së pari me zonjën Mogherinin, dhe pastaj me darkën? A jeni të bindur se Shqipëria vërtetë, vitin që vjen do të marrë së pari rekomandimin e Komisionit dhe të nisë negociatat e anëtarësimit?

“Këtë bindje s’mund ta kem, sepse duhet ta kenë të gjitha vendet anëtare dhe Këshilli Evropian, por, unë jam i binduri që Shqipëria do ta meritojë plotësisht hapjen e negociatave për anëtarësim. Edhe sonte qoftë në takimin kokë më kokë, qoftë dhe në darkën e kryeministrave ka dalë qartë që ka një vullnet të fortë në anën e institucioneve të Brukselit për ta shtyrë këtë proces, bazuar në çka është arritur, sigurisht edhe nga Shqipëria, në rastin konkret”. “Po ashtu ka qenë shumë e qartë se edhe vendimi i sotëm në Kuvend i ka shërbyer rritjes së besimit se reforma në drejtësi do të shkojë në drejtimin e duhur dhe se ka një vullnet të palëkundur për ta çuar këtë reformë përpara. Sigurisht që tema e ndërveprimit dhe bashkëpunimit ndër rajonal ka qenë pjesë e bisedave”.

A keni diskutuar për situatën në Shqipëri, ku opozita është duke kundërshtuar veprimet në Parlament, ndërkohë që reforma në drejtësi, implementimi i saj është kusht për të avancuar në rrugën europiane?

“Unë kur flas në gjuhë të huaj, flas për Shqipërinë, nuk flas për palët. Kështu që edhe sot, edhe njëherë kam folur për Shqipërinë, dhe sigurisht, që këtu jam mundur që të kapërcejë atë moment vështirësie të krijuar nga sjellja e opozitës, por, sigurisht jo duke fajësuar opozitën, por duke u fokusuar tek Shqipëria, tek shqiptarët, sepse negociatat nuk hapen për një parti, hapen për Shqipërinë, hapen për të gjithë shqiptarët pa dallim”. 

Artikulli paraprakBUSHATI I KËRKON RUÇIT: MEKANIZËM MONITORIMI PËR ZBATIMIN E REFORMËS NË DREJTËSI
Artikulli tjetërVENDIMI I QEVERISË, E SHTUNA DITË PUNE PËR ADMINISTRATËN