Kryeministri Edi Rama ashtu sikur paralajmëroi në momentin e marrjes së detyrës, misionin e tij në drejtimin e Presidencës së OSBE-së e nisi nga Ukraina. Në cilësinë e kryetarit të zyrës së OSBE-së, Edi Rama do të zhvillojë sot takime në Kiev me Presidentin e

Ukrainës Volodymyr Zelensky, kryeministrin Honcharuk, ministrin e Jashtëm Prystaiko dhe kryetarin e Parlamentit Dmytro Razumkov. Pas takimeve do të ketë një konferencë shtypi me ministrin e Jashtëm të Ukrainës.

Në faqen zyrtare të OSBE-së theksohet se bisedimet do të përqendrohen në forcimin e bashkëpunimit midis OSBE-së dhe Ukrainës, në punën e Misionit të posaçëm të monitorimit të OSBE-së (SMM) në Ukrainë, dhe në përpjekjet për një zgjidhje paqësore.

Në Kiev, Rama do të takohet gjithashtu me stafin e SMM, Koordinatorin e Projektit në Ukrainë, dhe Përfaqësuesin e tij Special në Ukrainë dhe në Grupin e Kontaktit Trilateral.

Ndërkohë që në datë 21 janar kreu i qeverisë shqiptare do të vizitojë Ukrainën lindore për të parë nga afër zonën e prekur nga konflikti. “Zgjedhja e Kievit si vizitë e parë pasqyron rëndësinë e madhe që ai i kushton përpjekjeve të OSBE-së për të adresuar krizën në Ukrainë, sfida më e ngutshme për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë sot” thuhet në faqen zyrtare të OSBE-së. Për vitin 2020 Shqipëria ka presidencën e OSBE-së.

Kryeministri Rama ka postuar një video mëngjesin e sotëm nga Kievi ku ka nisur axhendën e takimeve si kryetar i Presidencës së OSBE-së. I shoqëruar nga delegacioni dhe ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, e para që i ka uruar mirëseardhjen kreut të qeverisë

shqiptare ka qenë dëbora. “Ditë takimesh me autoritetet e larta të vendit në cilësinë e Kryetarit në Detyrë të OSBE – Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, me ministrin Vadym Prystaiko” shkruan Rama.