Shumë zona të NënShkodrës janë zgjuar mëngjesin e sotëm të mbuluara nga uji. Të paktën 1500 hektar tokë janë të përmbytura në njësitë administrative Ana e Malit, Bërdicë, Velipojë, Dajç apo Guri Zi si shkak i shkarkimeve nga hidrocentralet dhe reshjet e dendura të shiut. Kryetarja e bashkisë Shkodër Voltana Ademi ishte në fshatin Obot duke treguar për situatën e vështirë të krijuar nga përmbytjet.

Ajo që mbetet më shqetësuese për momentin sipas kryebashkiakes është furnizimi me ujë të pijshëm për banorët e fshatit Obot në Anën e Malit të cilët janë të izoluar për shkak të prezencës së ujit në rrugën kryesore të fshatit që nuk lejon kalimin e mjeteve të ulta.

Niveli i ujit në zonat e përmbytura është duke u rritur dhe kjo është shqetësuese.
Hidrocentrali i Vau Dejësit ka raportuar për 300 metër kub në sekond shkarkime duke bërë që disa fshatra të NënShkodrës t’i rikthehen përmbytjes.