Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e përmirësuar në 24 orët e fundit .Nga monitorimi gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, konstatohet reduktim i ndjeshëm i sipërfaqes së tokës bujqësore me prezencë uji, nga rreth 760 hektarë një ditë më parë në 590 hektarë sot, si pasojë e tërheqjes së niveleve të ujit në zonat e prekura.
Sipas matjeve të kryera në orën 06:30, nivelet e lumenjve vijojnë të jenë në rënie. Në Bunë, tek Ura e Pazarit, niveli është 8.40 metra, ndërsa në Drin, në Bahçallëk, matet 7.80 metra. Në stacionin Buna–Dajç, niveli i ujit ka zbritur në 6.38 metra.
Në fshatin Obot dhe Njësinë Administrative Dajç është evidentuar një ulje e nivelit të ujit rreth 20 centimetra krahasuar me ditën e djeshme. Po ashtu, rënie e nivelit vihet re edhe në liqen, çka ka ndikuar pozitivisht në stabilizimin gradual të situatës.
Aktualisht, qarkullimi në rrugën drejt fshatit Obot realizohet përmes mjeteve të ushtrisë, duke garantuar aksesin e banorëve dhe shërbimeve emergjente.
Sa i përket sipërfaqes së tokës bujqësore me prezencë uji, situata paraqitet si më poshtë: 10 hektarë në Bërdicë, 90 hektarë në Velipojë, 70 hektarë në Dajç dhe 420 hektarë në Ana e Malit, duke e çuar totalin në 590 hektarë.
Autoritetet bëjnë të ditur se mjetet dhe strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë në terren dhe në gatishmëri të plotë, ndërsa monitorimi i situatës hidrologjike do të vazhdojë pa ndërprerje.

Artikulli paraprakBENET BECI: FUNDJAVA DO TA GJEJË VELIPOJËN GATI PËR TË PRITUR VIZITORË, EDHE NË DIMËR
Artikulli tjetërVIJON PUNA PËR NDËRTIMIN E ARGJNATURËS TE FUSHA E DRUVE