Tomas Strakosha do të qëndroj tek Lazio deri në vitin 2022, të paktën kështu gjendet e shkruar në kontratën e re mes portierit të kombëtares shqiptare dhe klubit bardhekaltër.

Sipas mediave italiane akordi tashmë është mbyllur dhe ka mbetur vetëm që 21 vjeçari të nënshkruajë marrëveshjen e më pas gjithcka do të zyrtarizohet nëpërmjet një komunikate zyrtare në faqen e klubit nga kryeqyteti. Kontrata që ka një kohëzgjatje prej 5 vitesh parashikon edhe ndryshimin e pagës, nga 100 mijë euro në sezon, tashmë portieri kuqezi do të përfitoj 3-fishin e pagës, pra 300 mijë euro në sezon. Strakosha konsiderohet nga klubi i Lazios si një prej talentëve më me vlerë dhe këtë e ka konfirmuar edhe në momentet kur trajneri Simone Inzaghi ka kërkuar ndihmën e tij sa herë Federicho Marcheti ka shfaqur probleme dëmtimesh. Gardiani i kombëtares shqiptare ka zhvilluar paraqitje mjaft të mira duke kryer shumë pak gabime dhe në përgjithësi sa herë ka qënë në fushë bardhekaltrit janë larguar me 3 pikë. Duke u bazuar tek besimi që Lazio po i jep Strakoshës duke i rinovuar kontratën, atëherë është ndoshta e qartë që 22 vjeçari shihet si titullari i ardhshëm i portës së kësaj skuadre, duke qënë se Marchetti nuk është më në kulmin e karrierës dhe as në pranverën e moshës sportive. Njëkohësisht vlen të përmendet se në kontratë me Lazion është edhe portieri titullar i kombëtares shqiptare, Etrit Berisha i cili aktualisht është huazuar tek Atalanta.

Artikulli paraprakPRESIDENTI TRUMP MUND TË DETYROHET TË DEKLAROJË TAKSAT
Artikulli tjetërTERRORIZMI, 1.600 PERSONA TË LIDHUR ME ISIS NË GJERMANI