Partia Socialiste do të mbledhë ditën e nesërme Asamblenë Kombëtare, ku do të bëhet raportimi për 100 ditët e para të qeverisjes ‘Rama 2’, si dhe prezantimi i prioriteteve për vitin 2018. Janë gjashtë pika të rëndësishme që do të diskutohen gjatë Asamblesë së PS, ku mes të cilave është edhe ndryshimi i sekretariateve. Edhe pse nuk ka ende asgjë zyrtare mbi emrat që lëvizin në selinë rozë, Report Tv referuar fakteve sjell disa nga sekretarët, që pritet të largohen nga kjo detyrë ditën e shtunë.

PS ka gjithsej 8 sekretarë, ku Sekretari i Përgjithshëm, Taulant Balla, nuk ka asnjë dyshim që të lëvizë. Bashkim Fino, Sekretar për Organizimin, është i angazhuar, por ka një konfirmim publik të ambicies së tij për të drejtuar FSHF, ndaj dhe mund që ai të lërë detyrën në parti. Por nuk ka një konfirmim zyrtar. Alfred Peza, ky mund të jetë një prej emrave që mund të zëvendësohet, pasi nuk ka pasur një aktivizim të dukshëm si sekretar. Musa Ulqini, koordinator për koalicionin, detyrë që i ka humbur funksioni, ndaj dhe nuk është e nevojshme të ketë më një sekretar të tillë PS.

Stefan Cipa, është një ndër sekretarët e konsoliduar, që nuk ka arsye për të lëvizur. Elisa Spiropali, një ndër emrat me mundësinë më të madhe për të lëvizur, pasi ka marrë detyrën e koordinatores në vend të Saimir Tahirit. Blerina Gjylameti, koordinatore e përgjithshme elektorale, por së fundi ka dhe detyrën e kryetares së PS për Tiranën, post që e mbante Saimir Tahiri, ndaj dhe do të zëvendësohet pasi nuk lejohen dy poste. Ilir Beqaj, as për këtë nuk ka asnjë të dhënë deri më tani që mund të ndryshohet.