Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Bujar Spahiu nëpërmjet një videomesazhi ka njoftuar të gjithë besimtarët se Kurban Bajrami do të falet në sheshin ‘Skënderbej’, në Tiranë.

Dita e parë e Kurban Bajramit është më 9 korrik , të shtunën. Gjithashtu Spahiu ju shpreh urimet të gjithë shqiptarëve.

Video mesazhi i plotë:

Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja!

Gëzuar Kurban Bajramin të gjithë Shqiptarëve!

Bismilahi-Rrahamini-Rrahim

Me emër të Zotit Mëshiruesit-Mëshirëbërës.

Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve.

Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi Muhamedin (a.s.)

Të dashur qytetarë, nesër, në Shqipëri dhe mbarë botën, është festa e Kurban Bajramit.

Zoti i gjithësisë në suren Kevther në Kuran thotë:

“Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe ther kurban për hir të Zotit tënd!”

Ndërsa në një tjetër sure (En’nam) na kujton:

“Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjeshtë për Allahun, Zotin e botëve!”

Të dashur qytetarë, Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame.

Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahimit (a.s), durimin e pa shembullt të Ismailit (a.s.), atë kohë vetëm një fëmijë, dhe dhembshurinë e nënës së tij heroike, Haxhires.

Kurbani na dëshmon se sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punët më të pëlqyeshme te Zoti.Kush ka mundësi le të presë Kurban vetëm për Hir të Zotit, e kush nuk ka inshAllah i mundësohet sa më shpejt.

Silluni mire me njëri-tjetrin. Shtrini dorën e vëllazërmit ndërmjet jush. Duajeni njëri-tjetrin për hir të Zotit. Jini mbështetje për të varfërit.Bëhuni inkurajues për të sëmurët, dhe rrezatoni shpresë e gëzim te fëmijët.

“As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj”, thotë Zoti.

Ky Bajram na jep mesazhin që për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit, është i nevojshëm sinqeriteti dhe devotshmëria.E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimin dhe lutjet tona!E lusim Zotin për paqe e prosperitet në vendin tonë dhe mbarë njerëzimin!

Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja!

Gëzuar Kurban Bajramin!

Bujar Spahiu
Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

Artikulli paraprak“ÇMENDET” BAYERNI, OFRON 90 MILIONË EURO PËR OBJEKTIVIN E CHELSEA-T
Artikulli tjetërU QËLLUA ME ARMË GJATË NJË FUSHATE ELEKTORALE, NDËRRON JETË ISH-KRYEMINISTRI JAPONEZ