Ekipi i Universitateas së Krajovës ka mbërritur paraditen e sotme në Shkodër. Pikërisht, rreth orës 12:30, rumunët kanë zbarkuar në qytetin verior teksa kanë hyrë nga pika doganore e Hanit të Hotit ngaqë itinerari i linjës ajrore të tyre ka qenë nga Krajova në Podgoricë.

Ata sonte dhe do të akomodohen në “Hotel Colosseo”, në qendër të qytetit, ndërsa pasditën e sotme do të zhvillojnë edhe seancën e fundit stërvitore në “Loro Boriçi”, në prag të ndeshjes së Conference League ndaj shkodranëve.

Në orën 18:30 është planifikuar konferenca e shtypit e ekipit mik, ndërkohë që stërvitjen do ta zhvillojnë duke filluar nga ora 19:00 dhe ajo do të zgjasë rreth 60 minuta.

Vllaznia-Universitatea Kraiova do të luhet mbrëmjen e nesërme në stadiumin “Loro Boriçi”, në kuadër të ndeshjes së parë të turit të dytë të Conference League, duke nisur nga ora 21:00.