Duke qenë se nesër nis viti i ri shkollor dhe pritet të ketë fluks trafiku, Policia e Shtetit ka hartuar një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku mesditën e sotme, zhvilloi një takim me strukturat e Departamentit për Sigurinë Publike dhe ato të DVP Tiranë.

Rrumbullaku kërkoi që ndryshe nga çdo vit tjetër, pranë shkollave, të jenë të planëzuar patrulla të përgjithshme, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe ndihmës/specialistë të Policimit në Komunitet, të cilët do të monitorojnë qarkullimin e automjeteve në afërsi të shkollave dhe do të ndihmojnë nxënësit dhe prindërit, me qëllim vijimin e trafikut normal dhe parandalimin e ngjarjeve të mundshme rrugore. Punonjësit e Policisë Rrugore do të jenë prezent në të gjitha akset rrugore, kryqëzime dhe rrethrrotullime, për të monitoruar dhe për të menaxhuar trafikun, me qëllim moskrijimin e bllokimit të lëvizjes së lirë të përdoruesve të rrugës nisur nga fluksi i lartë i automjeteve të prindërve, me të cilat do të çojnë fëmijët në shkolla. Rrumbullaku kërkoi që Policia Rrugore dhe ajo e Patrullës së Përgjithshme të mos ndalojnë dhe të mos ndëshkojnë me masa administrative prindërit që do të çojnë nxënësit në shkolla, por të ndërhyjnë për të ndihmuar lëvizjen e lirë të automjeteve dhe lëvizjen e sigurtë të nxënësve, nga njëri kah i rrugës në tjetrin. Shefat e komisariateve të Policisë që kanë nën juridiksion, shkollat me numrin më të lartë në nxënësve në shkallë vendi, të takohen me drejtuesit e shkollave, për të hartuar plane pune të përbashkëta, me qëllim koordinimin e veprimeve me drejtuesit e shkollave dhe me bordet e prindërve, për ndërhyrjen në kohë, për të eliminuar dhe për të parandaluar depërtimin e fenomeneve negative apo përshkallëzimin e konflikteve të mundshme në shkolla.

Shefat dhe ndihmës/specilistët e Policimit në Komunitet, çdo ditë do të mbajnë kontakte me drejtuesit e shkollave, qeveritë e nxënësve dhe oficerët e sigurisë në shkolla, për t’u njohur me situatën dhe do të marrin pjesë në çdo mbledhje të bordit të prindërve, që lidhet me çështje të sigurisë në shkolla.

Artikulli paraprakRRUGA “ROZA LEJN”, AKSI QË PRET INVESTIME PREJ 20 VITESH
Artikulli tjetërMACRON TELEFONON PUTIN PËR SITUATËN NË ZAPORIZHZHIA! PRESIDENTI RUS: KIEVI PO PËRDOR ARMËT PERËNDIMORE NDAJ CIVILËVE TË DONBASIT