Kuvendi do të hedhë këtë të enjte shortin për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Edhe ky hap, në ngërçin e përgjithshëm që po përballet zbatimi i reformës në drejtësi, ka hapur debate. I pari që lau duart me këtë proces të kontestueshëm është Presidenti i Republikës. Në kushtet kur shorti duhej hedhur mes kandidaturave të sjella nga KLGJ e KLP dhe këto organe ende nuk janë ngritur, Meta ia pasoi topin Kuvendit, duke i deleguar zgjidhjen e këtij problemi. Pas kësaj kërkese të Metës, Gramoz Ruçi delegoi Zëvendëskryetaren e Kuvendit, Vasilika Hysi të organizojë hedhjen e shortit. Pavarësisht se kandidaturat duhet t’i merrte nga KLGJ e KLP, Kuvendi ka zgjedhur rrugën e shkurtër: të marrë kandidatura e gjyqtarëve direkt nga KLD-ja aktuale të cilës i janë kufizuar kompetencat, ndërsa kandidaturat për prokurorët i ka marrë nga vetë Adriatik Llalla.

Shorti do të jetë i hapur për publikun, por PD e quan këtë proces antikushtetues. kreu i grupit, Edmond Spaho i ka dërguar një letër Kuvendit, ku kërkon anulimin e procesit dhe të merret opinion i Këshillit të Legjislacionit. PD thotë se Kryetari i Kuvendit ka vepruar në kundërshtim flagrant me kompetencën kushtetuese, duke përdorur dispozita tranzitore, që kanë humbur fuqinë e tyre. Në përfundim Partia Demokratike thotë se “deri në plotësimin e boshllëkut kushtetues/ligjor apo deri në krijimin e KLGJ dhe KLP, është e pamundur që të zgjidhet një tjetër KED e përkohshme (KPED). Ndaj kërkon ndërprerjen e shortit dhe mbledhjen e Këshillit të Legjislacionit.

Edhe LSI kundërshton këtë proces. Me një letër drejtuar Rucit, Petrit Vasili thotë se LSI e nuk do të marrë pjesë në këtë short, pasi po kryhet në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën. LSI kërkon ndërprerjen e shortit dhe mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të zgjidhur situatën.

Artikulli paraprakZBULOHET FERMA E KANABISIT 3 SHQIPTARË NË PRANGA
Artikulli tjetër12-VJEÇARJA TËRHIQET ZVARRË NGA KAMIONI