Shkodranët e talentuar vazhdojnë të shkëlqejnë në diasporë, dhe veçanerisht në Amerikë. Si e tillë me rastin e festave të nentorit dhe fundvitit, studentët e ekselencës të klubit Rrënjë Shqiptare të kolegjit universitar “St.Francis College New York”, organizuan një event me iniciativën e veçantë të sekretares së këtij klubi, studente e ekselencës së këtij universiti Megi Rama, një vajzë nga Shkodra e cila jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Këtij eventi iu bashkangjit edhe këngëtari i mirënjohur shkodran, finalist i X-factor Albania, Ilsi Ademi. Në këtë event u reklamuan produkte dhe gatime shqiptare, u mbajtën kumtesa të ndryshme të personave që kanë arritur rezultate të larta akademike në sport, kulturë dhe në art ku kësaj të fundit iu dedikua ekspozita e një pikture të veçantë të quajtur Ebru ose ndryshe piktura në ujë nga studentja shkodrane Megi Rama.

Me këtë rast u bë edhe ceremonia e çmimeve ku shkodranja e talentuar e këtij universiteti, Megi Rama u vleresua me çmimin për rezultatet të arritura akademike, talentin si artiste e Ebru-së si edhe për kontributin e palodhshëm në komunitetin e studentëve shqiptar të këtij kolegji. Shkodra djepi i kulturës njihet për dashurinë e madhe për artin dhe muzikën, ku këto talente shkodrane si Megi Rama dhe Ilsi Ademi na bëjnë të ndihemi krenar çdo ditë e më shumë, të rinj të cilët i ruajnë traditat dhe rrënjët e tyre me shumë fanatizëm.