Qyteti më i madh i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, New York City është veshur ditën e sotme me ngjyrat e flamurit shqiptar. Qindra shqiptarë që jetojnë atje, janë mbledhur për të 15 vit radhazi për të festuar 145 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Rrugët e New Yorkut janë pushtuar nga motivet tradicionale shqiptare, si veshjet popullore e deri tek vallet me këngët tradicionale shqiptare. Nuk munguan as thirrjet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Korrespondenti i Report Tv në SHBA, Denion Ndrenika përshkroi atmosferën në New York, ndërsa tha se të pranishëm janë edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës.
“Në këtë 145 vjetor të lidhjes shqiptare të Prizrenit shoqatat e komunitetet shqiptaro-amerikan organizojnë paradën, ose marshimin e shqiptarëve. Ky është viti i 15 me radhë që organizohet në mes të New York kjo veprimtari. Organizatorët kryesorë janë Albanian Roots. Është interesante se vit pas viti, s’ka pasur asnjë lloj problematike, as nga organizimi nga vetë organizatorët as nga dhënia e lejes apo mbikëqyrjen e rendit dhe sigurisë nga autoritetet. Kjo është për tu veçuar pasi shpesh në kremtime të tilla niveli i sigurisë rritet edhe për shkak të pjesëmarrësve të mundshëm.
Bashkëpunimi është edhe me bashkinë e New York, që tek parkimi, festa. Kjo është hera e 15 me radhë që organizohet. Ka të ftuar edhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës, tematika është patriotike e shoqëruar me këngë e valle nga trevat të ndryshme të Shqipërisë etnike, referuar gjithmonë vendimeve të marrë në Lidhjen e Prizrenit”, tha Ndrenika.
Lidhja e Prizrenit
10 qershori është një datë me shumë peshë në historinë e kombit shqiptar. Në vitin 1878 të kësaj date u mbajt Kuvendi i Prizrenit, i cili shpalli formimin e Lidhjes së Prizrenit. Punimet e këtij kuvendi u drejtuan nga Iljaz Pashë Dibra, ndërsa programi politik ishte hartuar nga ideologët e kombit shqiptar si Sami Frashëri, Pashko Vasa, Abdyl Frashëri, Jani Vreto, Zija Prishtina e të tjerë. Lidhja e Prizrenit përbën organizatën e parë politike dhe ushtarake të mbarë kombit shqiptar.
Asokohe, Kuvendi hapi dyert për të pritur delegatët, të cilët do të vinin nga të katërt Vilajetet e Shqipërisë: Shkodrës, Manastirit, Janinës dhe Kosovës. Kjo lidhje synonte bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, shpalljen e ndarjes përfundimtare nga sundimi osman, si dhe të dëshmonte në mbarë opinionin publik europian se shqiptarët ishin një komb i veçantë në Ballkan pavarësisht ndryshimeve fetare.