Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka firmosur sot tre marrëveshje bashkëpunimi me ambasadorin e Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf. Nënshkrimi i këtyre marrëveshje, në tre sektorë kyç, është finalizim i një pune të gjatë mes grupeve të përbashkëta të punës.

Marrëveshja e parë përfshin rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës, si hidrocentrali më i madh në vend, duke përmirësuar prodhimin në këtë HEC. Marrëveshja e dytë, lidhet me Programin e Investimeve për zhvillimin e integruar rajonal, e cila parashikon ndërhyrje infrastrukturore të integruara, në funksion të nxitjes së zhvillimit ekonomik të zonave me potencial turistik. Ky program do të zgjasë rreth 4 vite dhe pritet që të mbulojë një portofol total investimesh prej 50 milion Eurosh, ndërsa do të zhvillohet në Bashkinë e Pogradecit dhe atë të Pustecit në qarkun e Korçës si dhe bashkinë e Himarës në qarkun e Vlorës duke pasur në fokus shtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve turistike në këto bashki.
Marrëveshja e tretë i referohet programit për menaxhimin e qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve dhe ka qëllim parësor menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta, përmes investimeve në infrastrukturën përkatëse, si dhe mbështetjen institucionale për ofrimin e një shërbimi të përmirësuar në zonat e ndryshme të mbetjeve. Ky program kontribuon gjithashtu në zbatimin e planit të investimeve të parashikuara në Masterplanin e Mbetjeve të Ngurta dhe do të ndikojë në harmonizimin e standardeve tona me ato të Bashkimit Evropian, si dhe në përmirësimin e kushteve mjedisore dhe sigurisht të jetesës së qytetarëve. Projektet e planifikuara përfshijnë gjithashtu ndërtimin e landfillit rajonal në Berat, si dhe ndërtimin e stacioneve të transferimit të mbetjeve sipas parashikimeve të masterplanit.

“Financimi i këtyre projekteve do të mbështetet në huatë me kushte të favorshme nga KfË, që është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm e të besueshëm në zhvillimin e Infrastrukturës rajonale. Financimit të komponentëve bazë u shtohen dhe grantet përkatëse për zbatimin dhe mbikëqyrjen e projekteve, ndërkohë që marrëveshja për menaxhimin e mbetjeve shoqërohet dhe me një grant investimi me vlerë 5.9 milionë euro. Në emër të Qeverisë Shqiptare shpreh konsideratën e lartë për Qeverinë Federale Gjermane si një nga partnerët Strategjik dhe gjithmonë i ndodhur pranë vendit tonë në këto dekada të rëndësishme për rimëkëmbjen e Shqipërisë. Falë bashkëpunimit tonë të shkëlqyer deri më tani kemi mundur të realizojmë një sërë projektesh me shtrirje ndër-sektoriale dhe jam besimplotë që ky partneritet do të vijojë të japë frytet e tij duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë”, theksoi Balluku.