
Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme po ndikojnë drejtpërdrejt edhe në ekonominë globale, duke rritur çmimin e naftës dhe duke shtuar pasigurinë në tregje.
Pas një periudhe relativisht të qetë, muaji mars ka sjellë një kthesë të fortë, me rritje të menjëhershme të kostos së energjisë.
Ekspertët mendojnë se çmimet e larta nuk do të bien shpejt, çka pritet të ndikojë në rritjen e inflacionit.
Kur energjia shtrenjtohet, kjo reflektohet zinxhir në çmimet e mallrave dhe shërbimeve.
Nëse inflacioni rritet, pritet të rriten edhe normat e interesit. Kjo do të thotë kredi më të shtrenjta, si për bizneset ashtu edhe për qytetarët, dhe një ngadalësim i përgjithshëm i aktivitetit ekonomik.
Në Shqipëri, inflacioni ka qenë i ulët muajt e fundit, rreth 2.2% në fund të vitit 2025 dhe 2.4% në fillim të 2026. Megjithatë, situata e re mund të ndryshojë këtë trend dhe të sjellë një valë të re rritjeje çmimesh.
Një nga efektet e para pritet të ndihet te borxhi i qeverisë. Rritja e normave të interesit do të çojë në rritje të kostos së huamarrjes, duke ndikuar edhe te kreditë për sektorin privat.
Ekonomia shqiptare ka qenë në rritje vitet e fundit, me një zgjerim të shpejtë të kreditimit. Por një inflacion më i lartë mund ta ngadalësojë këtë ritëm, pasi qytetarët dhe bizneset do ta kenë më të vështirë të marrin dhe të shlyejnë kredi.
Edhe kursimet mund të preken. Nga njëra anë, normat më të larta të interesit mund të nxisin kursimin, por nga ana tjetër, rritja e çmimeve ul mundësinë reale për të kursyer.
Në një situatë të tillë, institucionet financiare pritet të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe të marrin masa për të ruajtur stabilitetin ekonomik.
Në përgjithësi, nëse tensionet vazhdojnë, ekonomia mund të përballet me një periudhë më të vështirë, me rritje çmimesh dhe ritme më të ulëta zhvillimi./Monitor






