
Në mesin e qindra pushuesve që po shijojnë ditët e nxehta të verës në Shëngjin, bie në sy një vrojtues plazhi nga Egjipti, i cili për herë të parë ka ardhur në Shqipëri për të punuar dhe jetuar për disa muaj.
Ai quhet Mohamed Zidan, një djalë i qetë dhe i buzëqeshur, por me sy gjithmonë të vëmendshëm drejt detit. I çertifikuar dhe me përvojë në vendin e tij, ai është sot pjesë e ekipit të sigurisë në një nga plazhet private të Shëngjinit.
Për Mohamedin, deti nuk është vetëm një vend pune, por një hapësirë që kërkon përgjegjësi dhe dashuri për jetën. Ai ka qenë vrojtues edhe në Egjipt, por thotë se eksperienca në Shqipëri është unike, falë mikpritjes dhe natyrës së mrekullueshme.
Egjiptiani shprehet i kënaqur me pagën dhe kushtet e punës. Nëse arrin të sigurojë dokumentacionin e nevojshëm, ai mendon të sjellë edhe familjen në Shqipëri dhe të krijojë një jetë të qëndrueshme këtu.
Mohamedi nuk është i vetmi egjiptian i punësuar këtë sezon veror në Shëngjin. Mungesa e fuqisë punëtore në Shqipëri ka detyruar bizneset vendase të rekrutojnë shtetas të huaj, konform rregullave të përcaktuara.
Mes valëve dhe diellit të Shëngjinit, Mohamed Zidan është një kujtesë se siguria nuk njeh kufij dhe se Shqipëria po bëhet çdo ditë e më shumë një vend ku po kontribuojnë edhe shtetas të huaj.






