Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se nga data 2 shtator 2025 do të hyjnë në fuqi rregulla të reja për procedurat e vizave. Sipas njoftimit, vetëm vizat e tipit B1/B2 që janë ende të vlefshme ose që kanë skaduar prej më pak se 12 muajsh do të mund të rinovohen me postë. Për të gjitha llojet e tjera të vizave, përveç disa rasteve të veçanta të udhëtimeve qeveritare, do të kërkohet zhvillimi i një interviste. Ambasada i ka bërë thirrje aplikuesve të kontrollojnë faqet zyrtare al.usembassy.gov dhe travel.state.gov për informacion të detajuar mbi kërkesat, procedurat e aplikimit dhe për t’u informuar mbi statusin e funksionimit të shërbimeve konsullore. Ky ndryshim synon të rregullojë fluksin e aplikimeve dhe të sigurojë që procedurat të zhvillohen në përputhje me standardet e reja të vendosura nga Departamenti i Shtetit të SHBA.

“Duke filluar nga 2 shtatori 2025, vetëm vizat B1/B2 që janë ende të vlefshme OSE që kanë më pak se 12 muaj që kanë skaduar mund të rinovohen me postë. Për të gjitha llojet e tjera të vizave, përveç disa rasteve të udhëtimeve qeveritare, do të kërkohet një intervistë.

Nxisim aplikuesit për vizë të kontrollojnë faqen e ambasadës al.usembassy.gov dhe travel.state.gov për informacion më të detajuar mbi kërkesat dhe procedurat e aplikimit për vizë, si dhe për t’u informuar mbi statusin e funksionimit dhe shërbimet e ambasadës”, njoftoi ambasada.

Artikulli paraprakDY VATRA ZJARRI NË MIRDITË, PËR SHKAK TË ERËS FLAKËT PO MARRIN PËRMASA TË MËDHA
Artikulli tjetërDËMET NË BLEGTORI NGA ZJARRET NË VEND, JANË DJEGUR MBI 740 KOSHERE, 13 GJEDHË DHE 25 KRERË TË IMTA