Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë sugjeruar që për ngërçin e krijuar në Gjykatën Kushtetuese të merret opinioni i Komisionit të Venecias. Me anë të një reagimi Ambasada Amerikane në Tiranë thekson se për këtë situatë ku gjendet Gjykatat Kushtetuese, duhet që jo vetëm të merret opinioni i Kushtetueses por edhe të respektohet.

Në këtë gjykatë është krijuar një situatë e paprecedentë ku dy emra prokurorësh janë emëruar për të njëjtin post. Ndër të tjera në reagimin e Ambasadës thuhet se SHBA janë në mbështetje të Shqipërisë për Reformën në Drejtësi dhe sipas tyre ngërçi ka ardhur për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore të procesit të emërimit, parashikuar nga kushtetuta shqiptare dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi.

” Reforma në Drejtësi është një nga prioritetet më të larta të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Përparimi i vazhdueshëm i reformave është thelbësor për çuarjen përpara të qëllimit tonë të përbashkët të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.Tashmë Shqipëria ndodhet në prag të ringritjes së Gjykatës së saj Kushtetuese, një hap madhor në procesin e reformës në drejtësi.

Megjithatë ky përparim i nevojshëm ka ngecur për shkak të interpretimeve të ndryshme ligjore të procesit të emërimit, parashikuar nga kushtetuta shqiptare dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi.Institucionet gjyqësore shqiptare, kushtetuta dhe ligjet për zbatimin e reformës në drejtësi, duhet të udhëheqin procesin e zgjidhjes së këtyre intepretimeve të debatuara.

Në mungesë të një institucioni të përshtatshëm ligjor, i cili mund të vendoste mbi intepretimet e kundërta, Shtetet e Bashkuara mbështesin çuarjen e çështjes në Komisionin e Venecias, si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor. Gjithashtu, nxisim palët kundërshtuese që të respektojnë opinionin ligjor të Komisionit të Venecias.

Ecja në këtë drejtim do të ishte tërësisht në përputhje me aspiratat europiane të vendit.Teksa Shqipëria ndërmerr këto reforma thelbësore, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë në krah të saj si një vend mik, partner dhe aleat.” thuhet në reagimin e Ambasadës.

Ngërçi nisi pas dekretimit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese më 13 tetor të Marsida Xhaferllarit, nga ana e presidentit Ilir Meta. Ky i fundit e bëri emërimin e anëtares së re në tejkalim të afatit 30 ditor që i jep atij Ligji për Gjykatën Kushtetues. Më pas këtë vonesë Presidenca e justifikoi me një nen tjetër, po të kushtetutës, ku përcaktohet rendi i emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas këtij neni: “Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”

Por nga ana tjetër duke qenë se presidenti nuk veproi deri më 7 nëntor, kur i skadoi afati 30 ditor, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) konsideroi se Kreu i Shtetit nuk ushtroi kompetencën e tij, e për pasojë, siç përcakton ligji, automatikisht, shpallet i emëruar kandidati i pari në listë, që ishte zonja Arta Vorpsi.

Kjo situatë ka sjellë një përplasje mes Presidentit-Kreut të KED-së dhe Mazhorancës. Meta përdori një gjuhë të ashpër për drejtuesin e KED-së duke thënë se ai është kapur nga mazhoranca. Madje Presidenti bëri edhe një kallëzim penal ndaj kreut të KED Ardian Dvorani. Ndërsa mazhoranca ka theksuar se Meta po bën shkelje të rëndë kushtetuese.

Ndërkohë rreth një javë më parë Ambasadori i Italisë në Tiranë, Aberto Cutillo ashtu si ambasada Amerikane ka sugjeruar që të merret mendimi i Komisionit të Venecias për sa i përket ngërçit të krijuar krijuar për ngritjen e ngërçit të Gjykatës Kushtetuese.

Artikulli paraprakGJARPËRINJTË KISHIN KËMBË TË PASME PËR 70 MILIONË VJET
Artikulli tjetërMETA SULMON AMBASADORËT PAS DEKLARATËS SË SHBA: TYM I STRUKTURUAR DIPLOMATIK