
Vjosa Osmani ka kërkuar që Presidenti i Republikës së Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejtë nga populli. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani bën të ditur se ka paraqitur në Kuvend kërkesën për ndryshime kushtetuese, për zgjedhjen e drejtëpërdrejtë me votë nga populli të Presidentit të Kosovës.
Po ashtu Osmani ka bërë të ditur se amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtëpërdrejtë të Presidentit nga populli, ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. Teksa tha se kjo kërkesë vjen pas dështimeve të njëpasnjëshme për zgjedhjen e Presidentit, Osmani ftoi të gjitha subjektet politike në Kosovë që të votojnë ndryshimet në Kuvend.
Kujtojmë se zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës ka futur sërish në ngërç politikën në Kosovë, pasi opozita ende nuk ka dalë me një emër si kandidat për President, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit ka propozuar për postin e kreut të Shtetit Glauk Konjufcën.
Postimi i Vjosa Osmanit:
ZGJEDHJE TË DREJTPËRDREJTA PËR PRESIDENT!
Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentes/it, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.
I ftoj të gjitha partitë politike që të votojnë këto amendamente kushtetuese.
Tash e tutje, le të flasë populli!






