Është zbardhur dëshmia e Hasan Ferracakut, i cili mbeti i plagosur ditën e djeshme në ngjarjen e rëndë që u regjistrua në Velipojë, ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagosën dy të tjerë

Hasan Ferracaku e ka dhënë dëshminë e tij për Policinë nga Spitali i Traumës, ku është shtruar pasi mbeti i plagosur, ndërsa ka rrëfyer se në hotelin e familjes Gocaj kishin shkuar për t’u sqaruar dhe për të gjetur një zgjidhje në lidhje me vendosjen e shezlongeve në plazh.

“Fillimisht kemi zhvilluar një debat tek shezlonget në plazh sepse ata i kanë vendosur në vendin ku këtë vit e kemi pasur të drejtën ne pas aplikimit që kemi bërë. Pas atij debati kemi shkuar në darkë tek hoteli Gocaj për t’u sqaruar me familjen Gocaj. Jemi ulur në tavolinë për të biseduar. Ne i kemi thënë që të gjejmë një marrëveshje, pasi ata i kishin vendosur më përpara shezlonget njëkohë që këtë vit kjo e drejtë ishte e jona në baze të aplikimeve.

Ata nuk kanë pranuar duke thënë se duhet të presin derisa të përcaktohet edhe vendi i tyre. Gjatë bisedës ka nisur debati dhe gjërat janë acaruar duke bërë që të përdoren edhe armët. Ne kemi shkuar për të folur dhe për të gjetur një zgjidhje për shezllonet, por situata u acarua dhe pas krismave të armëve nuk e di çfarë ka ndodhur më.

Di që ata kanë qëlluar ndaj vëllait dhe ne të tjerëve dhe në atë moment vëllai është vetëmbrojtur. Unë nuk kam qëlluar dhe kemi shkuar vetëm për të biseduar sepse janë njerëz që ne i kemi njohur dhe kemi pasur marrëdhënie të mira, por situata doli nga kontrolli”, mësohet të ketë thënë ai.

Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas një konflikti mes dy familjeve për disa metra territor plazh në Velipojë. Viktima mbetën Kujtim Ferracaku 59-vjeç, Xhovani Gocaj 25-vjeç, Edmond Gocaj 38-vjeç dhe Musaen Zeneli vetëm 20 vjeç, ndërsa u plagosën Hasan Ferracakut dhe Elmidin Dyli, nipi i Kujtim Ferracakut.