
Prokurori i Durrësit, Arjan Ndoja, është bërë shënjestër e një atentati me armë zjarri pasditen e sotme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:27 te Mbikalimi i Shkozetit.
Makina tip “Fuoristradë”me targa AA 333 ZD e prokurorit është qëlluar me armë zjarri. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur Ndoji dhe dy persona të tjerë që udhëtonin me të në mjet. Sikundër dhe shihet në foto, mjeti i tyre ka përfunduar jashtë rruge.
Prokurori dhe dy të plagosurit e tjerë janë transportuar drejt spitalit të Durrësit për ndihmë mjekësore.
“Tre të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, sipas informacioneve të bluzave të bardha” raporton gazetari Leonidha Musaj.
Prokurori Arjan Ndoja u vu në qendër të opinionit publik kohët e fundit nga kryeministri Rama dhe zëvendëskryeministri Braçe, të cilët e akuzonin për lidhje me bandat kriminale.
Atentat prokurorit Arjan Ndoja. Pasditen e sotme rreth orës 16:00 prokurorit Ndoja i është bërë një atentat me armë zjarri te mbikalimi i Shkozetit, ku ka mbetur i plagosur së bashku me tre personat që ndodhej në makinë.
Ndoja ka qenë duke udhëtuar me makinën e tij në drejtim të Durrësit së bashku me dy kriminelë, njëri prej të cilëve është Landi Muharremi, i njohur për disa vepra penale dhe si i ‘forti’ i Shijakut dhe një grua.
Prokurori po udhëtonte me makinën tip “Benz” me targa AA 333 ZD.Makina ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal si pasojë e devijimit që ka bërë pas të breshërisë me armë zjarri. Prokurori Ndoja ndodhet jashtë rrezikut për jetën nga plagët që ka marrë, ndërsa dy kriminelët janë në gjendje të rëndë. Ende nuk dihet gjendja shëndetësore e gruas.
Objektivi nuk dihet nëse ka qenë Ndoja, por dyshimet e para janë për një gjë të tillë, ndërsa në drejtim të makinës së tij është qëlluar tetë herë me kallashnikov. Ndërkohë që nuk ka munguar përgjigja nga personat që ishin në makinë me Ndojën, pasi në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja të dala nga dy armë. .Prokurori Arjan Ndoja është bërë një personazh i njohur në muajt e fundit, si i përfshirë në skandalin e pronave në Gjirin e Lalzit, që u denoncua nga kryeministri Edi Rama.






