
Drejtori i komanduar i policisë së Elbasanit, Altin Qato në konferencë për shtyp ka deklaruar se qyteti i Elbasanit ka siguri, pavarësisht se siç theksoi ai, kohët e fundit kanë ndodhur disa ngjarje të cilat kanë cenuar rendin dhe sigurinë e këtij qyteti.
Qato tha se është detyrë e policisë së Elbasanit që të zbardhë ngjarjet e rënda kriminale që kanë ndodhur në të kaluarën në këtë qytet të cilat janë pa autor. “Elbasanin ne nuk e quajmë një qytetet që nuk ka siguri, por ka pasur disa probleme, disa ngjarje me të cilat ne po merremi. Synimi është të parandalojmë ngjarjet kriminale, por edhe për të zbardhur ngjarjet e mëparshme që kanë mbetur pa autor. Por policia e ka në kontroll situatën”. Ngjarjet e fundit në Elbasan si goditja e automjetit të zv/drejtorit të policisë, Gjergji Oshafi nga “Audi” në pronësi të biznesmenit Petrit Çela, vuri në pikëpyetje profesionalizimin e policisë. Për këtë shkak, kryepolici Haki Çako shkarkoi të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, ndërsa komandoi në krye ish-numrin dy të Policisë së Shtetit, Altin Qato.






