Arti, muzika dhe psikologjia u bashkuan në një aktivitet të veçantë të organizuar në ambientet e Muzeut Historik të Shkodrës, me temë “Ngjyrat që dëgjojnë muzikën”. Mbrëmja solli së bashku artistë, studiues dhe dashamirës të kulturës për të përcjellë mesazhe mbi ndikimin pozitiv që arti ka në jetën e individit dhe të shoqërisë.

Muzikologu dhe ideatori i aktivitetit, Qamil Gjyrezi, theksoi rëndësinë e artit si një mjet i fuqishëm për edukimin kulturor dhe shpirtëror, duke kontribuar në krijimin e një shoqërie më të ndjeshme, më krijuese dhe më të bashkuar.

Nga këndvështrimi i psikologjisë, Antonjeta Pero u ndal te ndikimi që arti ushtron në mirëqenien emocionale dhe shëndetin mendor, duke vlerësuar rolin e tij në përmirësimin e cilësisë së jetës.

Atmosfera artistike u pasurua nga interpretimet muzikore të këngëtareve Lulka Merkulaj dhe Irsa Mashi, të cilat sollën emocione dhe u pritën me duartrokitje nga publiku, duke dëshmuar edhe një herë se muzika mbetet një nga format më të fuqishme të komunikimit artistik.
Aktiviteti u mirëprit nga të pranishmit, veçanërisht nga banorët e Shtëpisë së të Moshuarve në Shkodër, duke përcjellë një mesazh të qartë mbi fuqinë e artit për të afruar njerëzit, për të nxitur mirëqenien dhe për të forcuar lidhjet në komunitet.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakFLUKS NË MURIQAN, 30 MIJË UDHËTARË NË 48 ORË
Artikulli tjetërPOSTRIBË, LAMTUMIRA PËR NËNËN DHE DY FËMIJËT