Ngrohja globale po shtron ndikimin e saj dhe në oqeane. Për të katërtin vit radhazi oqeanet në mbarë botën janë më të ngrohta se viti paraardhës, ku shkak është kriza klimaterike e shkaktuar nga njerëzit që pompojnë gazrat që bllokojnë nxehtësinë në atmosferë. Studimi i një ekipi shkencëtarësh zbuloi se pesë vitet më të nxehta për oqeanet kanë ndodhur të gjitha në gjashtë vitet e fundit dhe se shpejtësia me të cilën po ngrohen oqeanet po bëhet gjithnjë e më e shpejtë. Studimi ka shqyrtuar temperaturat nga sipërfaqja e oqeanit deri në 2,000 metra thellësi dhe rezultatet janë shqetësuese.

“Gjendja e oqeaneve tona mund të masë shëndetin e botës dhe duke gjykuar nga vëzhgimet e përditësuara të oqeanit … ne kemi nevojë për ndihmë”, kanë deklaruar shkencëtarët. Për sa i përket energjisë, sasia e nxehtësisë e shtuar në oqeane në vitin 2022 është e barabartë me 100 herë më shumë se gjenerimi total global i energjisë elektrike vitin e kaluar. Oqeanet shërbejnë si një tregues i mirë i ndikimit real të ndryshimeve klimatike, sepse krahasuar me temperaturat e ajrit, ato ndikohen më pak nga ndryshimet sezonale dhe ciklet e motit të përditshëm. Duke mbuluar pothuajse tre të katërtat e sipërfaqes së Tokës, oqeanet thithin shumicën dërrmuese të nxehtësisë së botës. Që nga viti 1970, më shumë se 90% e nxehtësisë së tepërt të planetit ka shkuar në oqeane.

Shkencëtarët janë shprehur se tendenca e ngrohjes afatgjatë globale është tani aq e qëndrueshme dhe e fuqishme sa që rekordet vjetore vazhdojnë të vendosen çdo vit.

Artikulli paraprakKËSHILLTARI I DASH NË KOSOVË, BISEDIME ME KURTIN E OSMANIN MBI MARRËDHËNIET ME SERBINË DHE INTEGRIMIN E VENDIT
Artikulli tjetër“HAPËSIRA MEDIATIKE SHPESH SHNDËRROHET NË FUSHË-BETEJË POLITIKE”, PRESIDENTI BEGAJ: MEDIA TË KETË FUQINË E SË VËRTETËS DHE TË FRYMËZOJË