
Pas më shumë se një viti nga nisja e punimeve për investimin e rrugës së Komanit, ka nisur zyrtarish puna për shtrimin e asfaltit në këtë aks rrugor.
Kompanitë e kontraktuara kanë nisur hedhjen e shtresës së parë të asfaltit duke dhënë garanci për një përmirësim të ndjeshëm të situatës në këtë rrugë, në prag të nisjes së sezonit turistik në këtë zonë .
Përveç zhvillimit të turizmit, ndërtimi i rrugës krijon lehtësi edhe për shërbimin shëndetësor në Koman. Jo në pak raste, emergjencat shëndetësore kanë kërkuar dërgimin e pacientëve drejt Shkodrës, dhe distanca e gjatë shpesh ka vënë në rrezik jetën e tyre.
Rruga e Komanit është një nga rrugët më të vështira, por edhe më piktoreske në veri të Shqipërisë. Ajo lidh qytetin e Shkodrës me liqenin e Komanit dhe vazhdon drejt Fierzës, duke shërbyer si pjesë e një itinerari të rëndësishëm për ata që udhëtojnë drejt Alpeve Shqiptare.
Kjo zonë është një nga destinacionet turistike kryesore të qarkut të Shkodrës, pasi të çon drejt lumit të Shalës. Megjithatë, amortizimi i rrugës ka shkaktuar probleme të shumta. Me këtë ndërhyrje, zona pritet të ketë një zhvillim të ndjeshëm të turizmit dhe përmirësim të shërbimeve për banorët dhe vizitorët.






